
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin Uppsala të Suedisë, ku një person i armatosur ka hapur zjarr pranë sheshit Vaksala, në qendër të qytetit. Mediat suedeze raportojnë se nga të shtënat kanë humbur jetën tre persona dhe disa të tjerë janë plagosur.
Sipas dëshmive të marra nga Sveriges Radio, të shtënat u dëgjuan rreth orës 17:00 pranë një berberi afër stacionit të trenit, në një zonë të frekuentuar nga qytetarët. Forcat e shumta të policisë kanë rrethuar zonën, ndërsa operacioni për kapjen e autorit vijon. Policia konfirmoi se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me një skuter dhe është ende në arrati.
“Po kërkojmë për persona të plagosur në zonë, pas raportimeve të shumta për të shtëna armësh. Kjo është gjithçka që mund të themi për momentin,” deklaroi zëdhënësi i policisë, Magnus Klarin.
Për shkak të incidentit, trafiku hekurudhor nga dhe drejt Uppsalës u ndërpre përkohësisht në orën 17:30, por u rikthye normalisht rreth orës 18:00, sipas Autoritetit Suedez të Transportit.
Policia nuk ka dhënë ende detaje për gjendjen shëndetësore të të plagosurve apo motivet e mundshme të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes ndodhen ambulanca dhe ekipe të emergjencës.
Ngjarja tronditëse ka krijuar shqetësim të madh në qytet, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.