
Në dosjen që SPAK i dërgoi kuvendit për të kërkuar arrestimin Belinda Ballukut, zbardhen detaje të reja, nga komunikimet mes numrit dy të qeverisë dhe ish-vartësit të saj Evis Berberi. Në mesazhet që janë në duart e prokurorëve, përmendet edhe koncesioni 245 milion eurosh i rrugës Thumanë-Kashar, dhe mënyra se si paracaktoheshin fituesit. Po kështu janë publikuar detaje të tjera që këtë herë përfshijnë kryeministrin Edi Rama, sa i takon paracaktimit të tenderit për ndërtimin e rrugës së Porto Romanos.
Detaje të reja dalin në dritë nga dosja SPAK në ngarkim të e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukut dhe vartësit të saj kreut të ARRSH në atë kohë, Evis Berberi. Përgjimet ekspozojnë sërish mënyrën se si Balluku dhe vartësit e saj përcaktojnë fituesit e tenderave dhe koncesioneve në rastin konkret për rrugën Thumanë Kashar. Ky koncesion me vlerë 245 milion euro u përfshi në dosjen që SPAK i dërgoi kuvendit bashkëngjitur kërkesës për heqjen e imunitetit të numrit dy të qeverisë. Biseda zhvillohet mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit i përket datës 15 qershor 2021.
Bisedat:
BELINDA BALLUKU: Isha me Bashkimin dje.
EVIS BERBERI: Si shkoi?
BELINDA BALLUKU: Dhe i thash kjo është sfida ime dhe e tij.
EVIS BERBERI: Po prandaj ndihej ndryshimi sot.
BELINDA BALLUKU: Me tha që vinçi për trarët e urës vjen nesër ose pasnesër.
EVIS BERBERI: Erdhi dje sot shkonte te ura. Se që andej po kthehem.
BELINDA BALLUKU: Unë po i bëj nderin e jetës me Thumanë-Kashar, ndaj ai do bëhet copë. Do flasim pak, mund të bëhet shumë ushtar. Është shumë i izoluar dhe i pashpresë, ndaj Agollin nuk e shiti kurrë dhe e bëri mbret.
EVIS BERBERI: Të vij sot të diskutojmë pak dhe për nesër në ora 9. S’ka se si ta shesë kanë punuar gjatë.
BELINDA BALLUKU: Se këta të tjerët janë të lidhur e të bërë gonxhe me njëri-tjetrin.
Po kështu janë publikuar edhe detaje të tjera që këtë herë përfshijnë kryeministrin Edi Rama, sa I takon paracaktimit të tenderit për ndërtimin e rrugës së Porto Romanos. Belinda Balluku e informon Evis Berberin se ka takuar biznesmenin Ramë Geci me kërkesën e kryeministrit Edi Rama, duke implikuar rëndë dhe këtë të fundit pasi de fakto biznesmeni e ka fituar tenderin.
Bisedat:
BELINDA BALLUKU: KM më kërkoi të takoj Ramë Gecin
EVIS BERBERI: E kishte takuar sot. Të kaloj nga zyra se e takova para një ore në kantier, bëra një xhiro në gjithë unazën
BELINDA BALLUKU: Jam në shpi peshk me pak fjalë, me një virozë
EVIS BERBERI: Obobo
BELINDA BALLUKU: Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?
EVIS BERBERI: 15 ml, rreth diku te 10 ml euro pa TVSH, 15 miliardë lekë
SPAK thotë se, Belinda Balluku pasi është njohur me akuzën, ka ushtruar presion ndaj Mirzeta Kashnicës, anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tunelin e Llogarasë, dhe kjo u zbardh të enjten nga publikimi i të dhënave nga dosja hetimore./SYRI.net







