
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, inspektoi sot punimet në kantierin e Institutit të ri për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Mëzez të Tiranës, një projekt unik në rajon dhe i dyti i këtij lloji në Europë pas Francës.
Institucioni i ri do të jetë një qendër polifunksionale, ku ndërthuren arsimi, formimi profesional, mbështetja psikologjike dhe riintegrimi social, duke synuar jo vetëm rehabilitimin, por edhe rindërtimin e jetës së të rinjve në konflikt me ligjin.
“Kjo vepër mishëron filozofinë e re të drejtësisë për të miturit. Një drejtësi që edukon, frymëzon dhe jep një mundësi të dytë. Shqipëria po sjell një model që frymëzon gjithë rajonin,” – deklaroi ministri Manja.
Ai e cilësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të drejtësisë restauruese, një qasje moderne që fokusohet te rehabilitimi dhe jo ndëshkimi.
Ky institut është pjesë e vizionit të Ministrisë së Drejtësisë për një sistem penal më të drejtë, më njerëzor dhe të përputhur me standardet europiane në funksion të integrimit të Shqipërisë në BE.