
Intensiteti i reshjeve të shiut është në rënie, duke bërë që Shqipëria të dalë nga harta e rrezikut për përmbytje në orët në vijim.
Sipas buletinit të Institutit të Gjeoshkencave, qarqet si Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Fier do të kenë reshje të dobëta, por të shoqëruara me shtrëngata lokale.
Po ashtu, edhe ditën e Hënë priten reshje të dobëta në të gjitha qarqet, duke mos paraqitur rrezik për përmbytje të mëtejshme, si dhe duke favorizuar uljen e niveleve të ujit në lumenjtë e vendit.
IGJEO parashikon se reshjet e borës do të vijojnë në Veri dhe Lindje në lartësitë mbi 700 m nga niveli i detit; po ashtu, reshjet do të jenë në formë dëbore edhe në Jug-Lindje, por në lartësitë mbi 1000 m.
Temperaturat e ajrit, ndryshe nga e diela që ishte dhe dita më e ftohtë e javës, në fillim të javës do të pësojnë një rritje të lehtë, ku vlerat minimale dhe maksimale do të variojnë nga 0 deri në 15 gradë Celsius. Problematike pritet të jetë parametri i erës, e cila, duke nisur orët e mbrëmjes të së dielës dhe sidomos të Hënën, pritet të fryjë mesatare deri e fortë kryesisht në bregdet.
Sipas sinoptikanëve, e gjithë java e fundit e nëntorit do të jetë e lagësht, ku reshjet e shiut do të jenë prezente, por me intensitete më të ulëta se sa java që lamë pas./Klan News







