
Bordi i Transparencës ka ndërhyrë në tregun e hidrokarbureve duke vendosur çmime tavan për karburantet në vend, duke sjellë një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës me 11 lekë për litër.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e kësaj të enjteje, nafta nuk do të shitet më shumë se 203 lekë/litri në të gjitha pikat me pakicë, ndërsa benzina është përcaktuar me një çmim maksimal prej 175 lekë/litër.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, prej orës 18:30, dhe është i detyrueshëm për të gjitha bizneset e tregtimit të karburanteve, deri në një vendim të ri nga Bordi.
Ky zhvillim vjen pas disa ditësh rritje të fortë të çmimeve, ku nafta në treg kishte arritur deri në 214–217 lekë/litër, duke rritur ndjeshëm kostot për qytetarët dhe bizneset.
Rritja e çmimeve lidhej me tensionet në Lindjen e Mesme dhe ndikimin në tregjet globale të naftës, veçanërisht pas krizës në Ngushticën e Hormuzit dhe rritjes së çmimit të naftës bruto Brent.
Ndërhyrja e Bordit synon të stabilizojë tregun dhe të frenojë abuzimet me çmimet në këtë periudhë të pasigurt.




