
Ulen të punësuarit në industrinë nxjerrëse dhe përpunimit, por shtohen tek ndërtimi! INSTAT: Rritje edhe tek indeksi i fondit të pagave
Instituti i Statistikave ka publikuar një raport lidhur me prodhuesit e të mirave, për tremujorin e parë të vitit 2025.
Këto prodhues përfshijnë: industrinë nxjerrëse dhe përpunuese, energjinë elektrike, gaz e avull, furnizimin me ujë, trajtimin e menaxhimin e mbetjeve, e së fundmi sektorin e ndërtimit. Krahasimet e këtyre zërave janë bërë me të njëjtën periudhë të një viti të mëparshëm.
Vihet re se ka përmirësimin më të madh e ka pësuar sektori i ndërtimit, pasi nuk ka asnjë kategori (shitje neto, prodhimi, të punësuar dhe fondi i pagave) në rënie, por vetëm në rritje.
Indeksi i shitjeve neto
Uljen më të madhe të indeksit të shitjeve neto e ka industria përpunuese e nxjerrëse, me rënien prej 10,8%. Më pas vijnë energjia elektrike, gazi e avulli me rënien prej 2%, e së fundmi furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve me një rënie të indeksit të shitjeve neto prej 0,9%.
Nga ana tjetër, indeksi i shitjeve neto të ndërtimit shënuar rritjen prej 7,5%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024.
Indeksi i prodhimit
Indeksi i prodhimit ka shënuar ulje të konsiderueshme në sektore, përveç ndërtimit.
Sipas INSTAT, ulja më e madhe e indeksit të prodhimit është shënuar në energjinë elektrike, gaz e avull me 6,1%. Në vend të dytë vjen industria nxjerrëse dhe e përpunimit me një rënie prej 2,1%. Ulja më e vogël e shënuar është tek furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve, me një rënië të indeksit të prodhimit prej 1,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga ana tjetër, në sektorin e ndërtimit shënohet rritja e këtij indeksi në vlerën 7,6%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024.
Indeksi i të punësuarve
Edhe për këtë zë, shënohen ulje të thella, përveçse në ndërtim dhe shumë pak tek furnizimi me ujë.
Rënia më e madhe e të punësuarve është shënuar tek energjia elektrike, gazi e avulli, indeksi i së cilës është ulur me 6,5%. Më pas vjen industria nxjerrëse dhe përpunuese, indeksi i të punësuarve që shënon uljen në 4,8%.
Një rritje të vogël është shënuar në kategorinë furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve me 0,4%.
Përmirësimin më të ndjeshëm e të punësuarve e shënon sektori i ndërtimit, indeksi i së cilës shënoi rritjen prej 3,5%.
Indeksi i fondit të pagave
Tek të gjitha zërat e prodhuesve e të mirave është shënuar rritje në indeksin e fondit të pagave, teksa dhe këtu, ndërtimi zë përqindjen më të lartë.
Indeksi i fondit të pagave në ndërtim shënoi rritjen prej 16,8%. Së dyti në radhë, vjen kategoria furnizimi me ujë dhe trajtimi e menaxhimi i mbetjeve, me rritjen prej 4,3%. Më pas në radhë vjen ajo e energjisë elektrike, gazit e avullit, me rritjen e indeksit të fondit të pagave prej 3,6% dhe së fundmi industria nxjerrëse dhe përpunuese prej 2,7%.
Rritja e shpenzimeve për pagat e punëtorëve në ndërtim
Në një raport të publikuar më herët nga INSTAT-i, atë të Indeksit të Kushtimit në Ndërtim për Banesa, u vu re se shpenzimet më të mëdha u regjistruan për pagat, me një rritje prej 5,2%.
Në radhë të dytë vinin shpenzimet për makineritë me 2,4%, kosto të tjera me 2%, transporti 1,7%, energjia 0,6%.
Edhe pse pati një rritje e të gjithë këtyre, u shënua një ulje prej 1,1% në shpenzimet materiale. Në këtë grupim, përfshihen materialet elektrike dhe të komunikimit që pësoi uljen më të madhe prej 2,2%, e pasuar nga “materiale ndërtimi” dhe “materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me nga 0,8% secila./tvklan