
Furnizimi i rregullt me ujë të pijshëm në Tiranë u përball me vështirësi këtë verë. Gjatë tremujorit të dytë të vitit, ku temperaturat arritën vlera shumë të larta, shumë lagje të Tiranës kanë vuajtur mungesën totale të ujit.
Por, pavarësisht problematikës, për gjysmën e pare të vitit, ndërmarrja publike e furnizimit me ujë dhe kanalizime “UK-Tirana” akumuloi gati 6 milionë euro fitim, me një normë sa 25.2% e të ardhurave.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të ardhurat e UKT-së arritën në rreth 2.23 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale u vlerësuan në 1.67 miliardë lekë. Si rezultat, kompania realizoi një fitim neto prej 562.9 milionë lekësh, ose 6 milionë eurosh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, fitimi neto është rritur me 151.9 milionë lekë ose 37%.
Megjithëse UKT është një kompani publike, e cila përfiton nga subvencione shtetërore, deri në fund të nëntëmujorit të vitit 2025, ajo ka marrë vetëm 14.8 milionë lekë nga totali prej 350 milionë lekësh të planifikuar për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
Fitimet e larta të UKT-së ngrenë shqetësime mbi balancën mes eficiencës financiare dhe përballueshmërisë së tarifave për konsumatorët, në një kohë kur ndërmarrjet e tjera publike të ujësjellësit në vend raportojnë vështirësi për të mbuluar kostot operative.
Të dhëna IBIS World tregojnë se ndërmarrje të ngjashme në Europë kanë norma fitimi më rreth 9%, ndërsa ato rajonit janë edhe me dobët.
Ndërkohë që UK Tirana ka pozicion financiar me të mirë së ndërmarrjet e tjera të UK në vend, kohëzgjatja e furnizimit me ujë në Tiranë është nën mesataren kombëtare.
Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Ujit vitin e kaluar kohëzgjatja e Furnizimit me Ujë në rang sektori raportohet 17.3 orë në ditë me një përmirësim prej 1 orë.
8 shoqëri UK Rajonale që ofrojnë shërbimin e Furnizimit me Ujë 20-24 orë/ditë si: UKR Korçë, Lezhë, Berat, Gjirokastër, Pogradec, Shkodër, Sarandë dhe Dibër, ndërsa 4 shoqëri UK Rajonale dhe shoqëria UK Tiranë me 13-20 orë në ditë.
Pjesa tjetër e shoqërive 4 prej tyre ofrojnë furnizimin me ujë 4-13 orë/ditë. Më keq përformojnë shoqëritë UK Kamzë me 4 orë në ditë dhe UK Vorë me 8 orë në ditë.
Furnizimi me ujë të pandërprerë në 24 në ditë sipas raportimeve, ofrohet vetëm nga Shoqëria Rajonale UK Lezhë./ Monitor.al







