Ligjvënësit ukrainas emëruan të enjten Andrii Sybiha, një diplomat karriere, si ministër të ri të Jashtëm të vendit.
Zoti Sybiha, 49 vjeç, zëvendëson Dmytro Kuleban, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm për të lobuar tek aleatët perëndimorë të Kievit për më shumë ndihmë ushtarake në luftën 30-mujore të Ukrainës kundër agresionit rus.
Zoti Sybiha, e cila flet anglisht dhe polonisht, ka qenë zëvendës ministër i Jashtëm dhe ka shërbyer edhe si ambasador në Turqi. Ai besohet të jetë më i afërt me shefin e kabinetit të Presidentit Zelenskyy, Andriy Yermak, sesa zoti Kuleba, i cili është largimi më i spikatur ndër radhët e ministrave.
Largimi i tij ishte pjesë e një përpjekjeje të Presidentit Zelenskyy për të ushtruar kontroll më të fortë në politikën e jashtme, sugjeruan burimet ukrainase.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i telefonoi zotit Kuleba për të shprehur “vlerësimin dhe miqësinë e tij të madhe” gjatë bashkëpunimit të tyre, u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha në rrjetin X se kishte “pak njerëz me të cilët kishte punuar aq ngushtë” sa me zotin Kuleba.
Një burim në partinë e Presidentit Zelenskyy, megjithatë, tha se presidenca ishte e irrituar me zotin Kuleba, raportoi agjencia e lajmeve Agence France-Presse.
“Ai jepte intervista, fliste bukur, shkonte në udhëtime. Ai merrej me vetëpromovim, në vend që të përmirësonte punën e ambasadave, të punonte sistematikisht me vendet dhe të merrte mbështetjen e tyre”, tha burimi.
I pyetur mbi arsyet e ndryshimeve në qeveri, Presidenti Zelenskyy, u tha gazetarëve se “kemi nevojë për energji të re dhe këto hapa kanë të bëjnë me forcimin e shtetit tonë në fusha të ndryshme”.
Parlamenti i Ukrainës miratoi të enjten edhe gjashtë ministra të tjerë të rinj dhe dy zëvendëskryeministra.
/VOA, Reuters.