
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin u takuan sot në Alaska, ku u pritën me ceremoni të veçantë dhe u ngjitën së bashku në automjetin presidencial të SHBA. Pamjet nga takimi treguan një atmosferë të ngrohtë mes dy liderëve, gjë që ka shkaktuar reagime të forta në Ukrainë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili nuk është ftuar në samit, tha se “në ditën e negociatave, rusët po vazhdojnë të vrasin”, duke theksuar se një takim trepalësh mes SHBA, Rusisë dhe Ukrainës është i domosdoshëm për një paqe të qëndrueshme.
Shumë ukrainas, përfshirë ish-ambasadorin Valeriy Chaly, e kanë kritikuar mikpritjen e ngrohtë që iu rezervua Putinit, me tapetin e kuq dhe avionët luftarakë mbi qiellin e Anchorage. Chaly u shpreh se gjesti i Putinit që bëri me shenjë sikur nuk dëgjonte pyetjen e gazetarëve për ndalimin e vrasjes së civilëve ishte “i neveritshëm dhe i trishtueshëm”.
Analistët e krahasojnë përjashtimin e Kievit nga ky takim me bisedimet e vitit 2020 për Afganistanin, kur administrata Trump negocioi me talebanët pa përfshirë qeverinë afgane. Sipas tyre, ky precedent mund të nënkuptojë përfitime strategjike për Moskën.
Ndërkohë, takimi mes Trump dhe Putin po zhvillohet prapa dyerve të mbyllura dhe pritet të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp. Rezultatet konkrete të bisedimeve mbeten për t’u parë.