Dronë të paidentifikuar kanë fluturuar mbi bazën më të madhe ushtarake të Danimarkës, duke ngjallur shqetësime mbi mundësinë e sulmeve ajrore të Rusisë edhe mbi vende të tjera evropiane. Policia daneze konfirmoi se incidenti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme dhe ka zgjatur disa orë. “Një ose dy dronë janë parë mbi bazën ajrore të Karup-it, por nuk janë qëlluar,” tha oficeri Simon Skelsjaer për AFP.

Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Europa duhet të marrë masa për të mbrojtur hapësirën ajrore: “92 dronë rusë kanë fluturuar drejt Polonisë, Italia mund të jetë e radhës,” tha ai, duke theksuar se lideri rus Vladimir Putin po teston kapacitetin e reagimit të Evropës.

Zelensky shtoi se Ukraina është e gatshme të ndajë përvojën e saj në luftën kundër dronëve rusë me vendet evropiane. Disa shtete tashmë do të dërgojnë përfaqësues në Ukrainë për të marrë “trajnime praktike” mbi mënyrat e mbrojtjes nga sulmet ajrore.

Nga ana e saj, Rusia mohon se dronët e saj synojnë vende të NATO-s apo të BE-së. Ministri i Jashtëm rus, Serghei Lavrov, deklaroi: “Nuk kemi asgjë për të fshehur. Nuk sulmojmë kurrë civilë apo infrastruktura europiane.”

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, përgënjeshtroi frikën e një sulmi mbi Itali: “Nuk mendoj se Italia është objektiv ushtarak. Sistemi ynë i mbrojtjes ajrore është i aftë të kontrollojë dhe të ndërmarrë veprime kundër dronëve kërcënues.”

Ndërkohë, vendet baltike dhe Polonia kanë kërkuar nga NATO të forcojë mbrojtjen ajrore përballë sulmeve të përsëritura me dronë rusë. Estonia ka dhuruar armë dhe pajisje mbrojtëse për Ukrainën me vlerë 10 milionë euro për të ndihmuar në përballimin e këtyre kërcënimeve.

Në qytetin ukrainas Zaporizhzhia, për katër ditë radhazi ka mungesë energjie për shkak të sulmeve të Moskës, ndërsa tensionet mbi përdorimin e dronëve shtohen në gjithë Evropën.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu