Durrës – Policia arreston autorin e dyshuar për vrasjen e 82-vjeçarit
Pas kontrolleve intensive dhe ndërmjetësimit me vëllain e autorit të dyshuar, Policia e Durrësit ka vënë në pranga shtetasin F.J., 39 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen e 82-vjeçarit P.G., ngjarje e ndodhur më 30 dhjetor 2024 në lagjen nr. 16.
Sipas hetimeve, 39-vjeçari dyshohet se ka kryer krimin duke përdorur një thikë dhe një çekiç, për motive të dobëta. Pas kryerjes së aktit, ai ka mbyllur me çelës derën e banesës së viktimës dhe ka fshehur mjetet e krimit, të cilat më pas u gjetën në banesën e tij.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale mjetet e përdorura në krim dhe veshjet e autorit. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje tragjike.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa i arrestuari do të përballet me akuzat për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.