
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar se nesër, më 22 nëntor 2025, në orën 09:00, do të zhvillohet seanca gjyqësore ku do të merren në pyetje Belinda Balluku, si edhe dy zyrtarët e tjerë Gentian Gjyli dhe Erald Elezi. Gjatë seancës do të verifikohen gjithashtu masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre.
Sipas njoftimit të SPAK-ut, procedimi penal nr. 136 i vitit 2025 lidhet me hetimet për tenderët e tunelit të Llogarasë dhe Lotin e Katërt të Unazës së Madhe, ku Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës, akuzohet se ka orientuar procedurat në mënyrë të kundërligjshme deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin fitues.
Kujtojmë se një ditë më parë, GJKKO vendosi masën e sigurisë pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë vendit për zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, ndërsa për dy zyrtarët Gjyli dhe Elezi u caktua arrest shtëpie.




