
Kapet nga Policia Rrugore e Tiranës, pjesëtari i një organizate kriminale të akuzuar në Spanjë, për mashtrim me pasoja të rënda.
Gjatë monitorimit sistematik që kryhet në të gjitha akset e kryeqytetit, me pajisje bashkëkohore dhe shërbime të shtuara, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës konstatuan shtetasin N. S., 37 vjeç, duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit. Nga verifikimet e kryera menjëherë pas ndalimit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranë rezultoi se 37-vjeçari ishte në kërkim për llogari të autoriteteve spanjolle.
Gjykata e Seu de Urgell i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan provizorisht, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasin N. S., për ekstradimin e të cilit Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Madridin.