
Fier – Kapet në momentet e fundit, teksa po tentonte të largohej për në Greqi, një nga autorët e ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Shtyllas, ku babë e bir u përfshinë në një tentativë për vrasje ndaj shtetasit Ll. M.
Pas një ndjekjeje intensive dhe informacioneve të siguruara në kohë reale, shërbimet e Policisë së Fierit zbuluan se i dyshuari po udhëtonte në drejtim të Sarandës, me synimin për të kaluar kufirin. Në një operacion të shpejtë dhe të koordinuar me Policinë e Sarandës, forcat operacionale bënë të mundur kapjen e tij, pikërisht në momentin që po hipte në autobusin e Konispolit.
I arrestuari, shtetasi N. P., 40 vjeç, ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë.
Ndaj tij u mor masa e ndalimit, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për hetime të mëtejshme.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë.