KOSOVË- Zëvendësministri në detyrë i Financave në Kosovë, Agon Dobruna, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është larguar nga një konferencë rajonale e nivelit të lartë të mbajtur në Tiranë, për shkak të mënyrës së papranueshme të përfaqësimit të Republikës së Kosovës në atë event.

Doburuna deklaroi se ishte i detyruar të largohej nga konferenca dhe të mos e nënshkruante Deklaratën e Angazhimit, për shkak të përdorimit të fusnotës (një shënim në fund të faqes ku shpjegohet fjala) me referencën “Rezoluta 1244 e OKB-së”. Një formulim që ai e cilësoi si tërësisht të papranueshëm dhe në kundërshtim me atë që zakonisht përdoret nga Bashkimi Evropian.

“Mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese,” ka shkruar Agon Dobruna,.

Ai theksoi se kërkesa për ta korrigjuar këtë paraqitje u injorua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, duke cenuar frymën e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë që promovon vetë konferenca.

“Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon, por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror,” ka thënë Dobruna.

Ndërsa theksoi se përdorimi i një fusnote të tillë nuk është vetëm një çështje teknike, por prek drejtpërdrejt dinjitetin kombëtar dhe respektin që Kosovës i takon, veçanërisht në një ngjarje të organizuar nga një vend mik. Ai shtoi se pavarësisht kërkesës për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca./dosja.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu