
Një tjetër natë për t’u harruar për Italinë. “Azzurrët” janë eliminuar nga Botërori 2026 pas humbjes dramatike me penallti ndaj Bosnjë-Hercegovinës, duke munguar për herë të tretë radhazi në një Kupë Bote.
Sfida në Zenica ishte një betejë e vërtetë. Italia kaloi në avantazh me Moise Kean në pjesën e parë, por gjithçka u komplikua pas kartonit të kuq për Bastonin, që i la italianët me 10 lojtarë për pjesën më të madhe të ndeshjes.
Bosnja reagoi dhe barazoi, duke e çuar ndeshjen në shtesë dhe më pas në penallti, aty ku fati i buzëqeshi vendasve. Në “ruletën ruse”, Italia u dorëzua, duke i dhënë fund ëndrrës për Botërorin.
Eliminimi konsiderohet një goditje e rëndë për futbollin italian, ndërsa presioni tashmë bie mbi trajnerin Gennaro Gattuso dhe federatën, në një moment kritik për të ardhmen e Kombëtares.






