
Një grup turistësh italianë kanë ndarë në TikTok një përvojë jo të këndshme gjatë vizitës së tyre në Shqipëri. Ata thonë se shtëpia që kishin prenotuar paraprakisht nuk ekzistonte fare dhe në adresën e dhënë ndodhej një lokal.
Në videon e postuar, e shoqëruar me mbishkrimin “POV: La casa prenotata in Albania non esiste” (“Shtëpia e prenotuar në Shqipëri nuk ekziston”), turistët shfaqen të ulur në një kafene, dukshëm të zhgënjyer nga situata.
Më pas, në komentet e videos, duke iu përgjigjur miqve shqiptarë, ata tregojnë se u detyruan të akomodoheshin në një hotel për të vazhduar pushimet.
Ngjarja ka hapur diskutime mes ndjekësve për sigurinë e prenotimeve online dhe rëndësinë e verifikimit të adresave përpara udhëtimit.