Kryeministri Edi Rama do të presë nesër në Tiranë Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një vizitë të rëndësishme që shënon nisjen e turit të saj diplomatik në Ballkanin Perëndimor.

Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara se dy liderët të zhvillojnë një takim kokë më kokë në ambientet e Kryeministrisë. Më pas, delegacionet shqiptare dhe europiane do të mbajnë një takim dypalësh, për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe sfidat e integrimit rajonal.

Vizita do të kulmojë me një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Rama dhe von der Leyen pritet të japin mesazhe të forta mbi të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.

Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të turit të von der Leyen në rajon, me qëllim forcimin e mbështetjes së Brukselit për procesin e zgjerimit dhe për Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së (2024–2027), që synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Në fokus të bisedimeve do të jenë gjithashtu projektet e përbashkëta infrastrukturore, energjia e gjelbër dhe digjitalizimi, fusha në të cilat Shqipëria synon të përfitojë mbështetje konkrete nga fondet e BE-së.

Tirana pritet të jetë ndalesa e parë e këtij turi rajonal, duke e shndërruar kryeqytetin shqiptar në qendër të vëmendjes diplomatike të Europës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu