
Një tunel 2000-vjeçar, dikur i përdorur nga perandorët romakë për të hyrë fshehurazi në Koloseum, do të hapet për publikun këtë muaj, duke u ofruar vizitorëve një mundësi unike për të parë “prapaskenat” perandorake të arenës më të famshme të botës antike.
I njohur si “Kalimi i Komodit” (Passage of Commodus), korridori 55 metra i gjatë u ndërtua nën amfiteatër për t’u mundësuar perandorëve dhe të ftuarve të tyre VIP të arrinin në tribunën perandorake pa u përzier me turmat.
Tuneli mban emrin e Perandorit Komod, sundimtarit të pamëshirshëm që drejtoi nga viti 177 deri më 192 pas Krishtit dhe që, sipas historianëve, i shpëtoi për pak një atentati pikërisht në këtë korridor nëntokësor.
Dashamirët e filmit “Gladiatori” do ta kujtojnë Komodin si personazhin e luajtur nga Joaquin Phoenix – perandorin që vrau të atin, Marcus Aurelius, dhe përfundoi duke u përballur në arenë me Maksimusin e Russell Crowe.
Në jetën reale, Komodi ishte edhe më i ekzaltuar: ai merrte pjesë në duele gladiatorësh i veshur si Herkuli, vriste kundërshtarë të dobësuar dhe madje edhe kafshë — njëherë, sipas burimeve, preu kokën e një struci para një turme entuziaste.
Tuneli, i zbuluar fillimisht nga arkeologët francezë midis viteve 1810–1814 dhe më pas i studiuar sërish në vitet 1990, është restauruar plotësisht gjatë periudhës 2020–2021. Gjatë punimeve u përdorën teknologji me lazer për të pastruar suvat, u rindërtuan muret me mermer dhe u zbuluan afreske që paraqesin peizazhe mitologjike, skena me Dionisin – perëndinë e verës dhe gëzimit – si dhe gjueti derrash e beteja me arinj.
“Tani që kalimi hapet për publikun, vizitorët do të mund të përjetojnë se si ndihej të ishe një perandor,” tha arkeologia Barbara Nazzaro, që drejtoi projektin.
Drejtori i përgjithshëm i muzeve italiane, Massimo Osanna, e quajti hapjen “një moment historik” që bashkon kërkimin shkencor me ruajtjen kulturore. Hapësira përfshin një hartë taktile, rekonstruksione virtuale dhe ndriçim që rikrijon dritën natyrale nga dritaret e lashta të tunelit.
Projekti është financuar nga Parku Arkeologjik i Koloseumit dhe Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë i Italisë (PNRR).