Personel ushtarak nga disa vende evropiane të NATO-s ka mbërritur në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, në kuadër të një misioni të përbashkët stërvitor, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump vijon të këmbëngulë se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për ishullin për arsye të sigurisë kombëtare.

Autoritetet bëjnë me dije se një kontingjent i vogël ushtarak francez, së bashku me trupa nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, janë dislokuar në Groenlandë në atë që cilësohet si një mision “zbulimi dhe pranie simbolike”.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se ky është vetëm hapi i parë dhe se misioni do të përforcohet me mjete tokësore, ajrore dhe detare. Ndërkohë, diplomati francez Olivier Poivre d’Arvor e cilësoi dislokimin si një mesazh të fortë politik: “Do t’i tregojmë SHBA-së se NATO është e pranishme në Groenlandë”.

Zhvillimet vijnë në një moment tensioni diplomatik, pasi Trump ka ripërsëritur publikisht pretendimin për ta vënë Groenlandën nën kontrollin amerikan. “Na duhet Groenlanda për sigurinë kombëtare”, tha ai në Zyrën Ovale, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës, ndonëse shtoi se një marrëveshje me Danimarkën mund të ishte e mundur.

Pas një takimi në Uashington me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi se ekziston një “mospërputhje themelore” mes palëve, duke kritikuar hapur idenë e Trump për blerjen ose kontrollin e Groenlandës.

Edhe Polonia reagoi, me kryeministrin Donald Tusk që paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane në Groenlandë do të ishte “një katastrofë politike” për NATO-n. Ndërkohë, Rusia ka shprehur “shqetësim serioz”, duke akuzuar NATO-n për rritje të pranisë ushtarake në Arktik.

Operacioni, i quajtur “Arctic Endurance”, udhëhiqet nga Danimarka dhe përfshin vetëm disa dhjetëra ushtarë, me qëndrim të përkohshëm, por me peshë të fortë simbolike. Qëllimi, sipas Kopenhagenit, është forcimi i pranisë së NATO-s në Arktik për sigurinë evropiane dhe transatlantike.

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka qenë i prerë në deklaratat e tij: “Groenlanda nuk dëshiron të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara dhe nuk dëshiron të qeveriset prej tyre”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu