
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Elbasan, ku një trup i pajetë është gjetur në rrjedhën e lumit Shkumbin, pranë zonës së Katundit të Ri, në afërsi të ish-Metalurgjikut.
Sipas informacioneve paraprake, kufoma është konstatuar nga një peshkatar lokal, i cili njoftoi fillimisht banorët e zonës dhe më pas autoritetet. Menjëherë pas njoftimit, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, duke rrethuar zonën dhe ndaluar hyrjen e qytetarëve për të ruajtur provat dhe për të garantuar sigurinë.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe qasjes së kufizuar në vendin ku ndodhet trupi, është kërkuar ndërhyrja e polumbarëve dhe shërbimit zjarrfikës të Elbasanit, të cilët janë angazhuar për nxjerrjen e trupit nga uji dhe transportimin e tij drejt morgut të spitalit rajonal.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka ende të dhëna mbi identitetin, moshën apo gjininë e viktimës. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të hedhë dritë mbi shkakun e vdekjes dhe mbi rrethanat e ngjarjes.
Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për një aksident tragjik apo për një ngjarje me motive kriminale. Policia ka nisur hetimet dhe u bën thirrje qytetarëve që kanë informacion për persona të zhdukur të kontaktojnë menjëherë strukturat përkatëse.