
Në Shtëpinë e Bardhë po zhvillohet një nga takimet më të rëndësishme diplomatike të viteve të fundit, ku presidenti i SHBA Donald Trump pret presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe disa nga liderët kryesorë të Europës, mes tyre kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Trump: “Big day në Uashington”
Trump e ka përshkruar këtë ditë si një “big day” për SHBA-në, duke theksuar se kurrë më parë kaq shumë liderë europianë nuk kanë qenë në të njëjtën kohë në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, qëndrimet e tij për Ukrainën kanë ngjallur shqetësime, pasi ka përjashtuar mundësinë që Kievi të anëtarësohet në NATO apo të rikthejë Krimenë e pushtuar nga Rusia në vitin 2014.
Zelensky: Putini po përpiqet të “poshtërojë diplomacinë”
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas akuzoi Moskën se po saboton çdo përpjekje për paqe, pas sulmeve të fundit ruse ku mbetën të vrarë 10 persona. Ai theksoi se “Rusia mund të detyrohet në paqe vetëm përmes forcës, dhe presidenti Trump ka atë forcë”.
Europa në një zë për garancitë e sigurisë
Zyrtarët europianë janë të unifikuar në qëndrimin se Ukraina nuk duhet të bëjë lëshime territoriale ndaj Rusisë dhe se agresioni nuk mund të shpërblehet. Për ta, një marrëveshje e drejtë do të thotë garanci të forta sigurie për Kievin dhe vazhdim i mbështetjes ushtarake e financiare.
Putin bën diplomaci paralele
Ndërkohë që në Uashington zhvillohen këto bisedime, presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar telefonata me homologët e tij nga Brazili, India, Afrika e Jugut dhe Taxhikistani, duke kërkuar të forcojë mbështetjen ndërkombëtare për qëndrimet e Moskës.
Takimi në Uashington shihet si një pikë kthese: do të hapë rrugën për një marrëveshje paqeje apo do të thellojë më tej përplasjet mes palëve?