
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kompania Coca-Cola ka pranuar të përdorë sheqer të kallamit natyral në prodhimin e pijes së saj më të famshme në Shtetet e Bashkuara, pas një sugjerimi të drejtpërdrejtë nga ai vetë.
“Në një bisedë me drejtuesit e Coca-Cola, u kërkova të kalonin në përdorimin e sheqerit të vërtetë nga kallami në vend të shurupit të misrit. Më thanë po,” tha Trump, duke shtuar: “Dua t’i falënderoj. Do të jetë një hap shumë pozitiv. Është thjesht më e mirë!”
Megjithatë, kompania nuk e ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen, por në një deklaratë për mediat ka falënderuar Trumpin për interesimin dhe ka shtuar se së shpejti do të ketë lajme të reja për përbërjen dhe përmirësimet e produktit të saj klasik.
Deklarata ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë diskutuar për ndikimin që mund të ketë ndërrimi i përbërësve në shijen dhe cilësinë e Coca-Cola-s. Ndërkohë, ekspertët e industrisë po presin një reagim zyrtar nga kompania për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një ndryshim real në formulë apo thjesht për një version të ri alternativ në treg.