Presidenti amerikan Donald Trump ka marrë meritën për lirimin e pengjeve izraelite, duke e cilësuar veten dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu si “heronj lufte”, gjatë një interviste për “The Mark Levin Show” të martën, 19 gusht.

“Para së gjithash, ata nuk do të kthenin asnjë peng. Jam unë ai që i solla të gjithë pengjet mbrapsht,” tha Trump.

Ai theksoi se ekipi i tij kishte “punuar fort” për lirimin, duke shtuar se kishte marrë “aq shumë letra nga prindërit, nga fëmijët” dhe “se askush nga këta njerëz nuk do të ishte kthyer, por ai e arriti!”

Presidenti amerikan vlerësoi edhe Netanyahun, të cilin e quajti “mik” dhe një “burrë të mirë.”

“Është aty duke luftuar, edhe pse po përpiqen ta fusin në burg. Si është e mundur kjo? Ai është një hero lufte, sepse ne punojmë bashkë. Edhe unë jam hero lufte, askujt nuk i intereson, por unë jam gjithashtu,” tha Trump.

Duke folur për konfliktin e vazhdueshëm me Hamasin, Trump deklaroi se “në fund të fundit duhet të luftosh si i çmendur.”

“Gjithkush e ka harruar 7 tetorin! Nuk duan ta kujtojnë”, shtoi ai.

Gjatë intervistës, Trump u ankua po ashtu se nuk ka marrë mjaftueshëm vlerësim për urdhrat e tij për sulme ajrore apo veprime të tjera të fundit për uljen e konflikteve globale.

Kujtojmë se lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 brenda territorit izraelit, ku u vranë rreth 1,200 izraelitë dhe u morën peng 251 persona. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arrest për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./tvklan.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu