Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e saj të 1.385-të, ndërsa tensionet diplomatike mes Perëndimit dhe Rusisë mbeten të larta. Pas vizitave në Londër dhe Bruksel, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet sot në Romë.

Zelensky ka zhvilluar një takim kokë më kokë rreth 30 minuta me Papa Leonin XIV në Castel Gandolfo, ndërsa më pas pritet të takohet edhe me kryeministren italiane Giorgia Meloni në Palazzo Chigi.

Nga Uashingtoni, presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka lëshuar deklarata të forta ndaj liderëve evropianë dhe vetë Zelenskyt. Në një intervistë për Politico, Trump i ka cilësuar udhëheqësit e Bashkimit Evropian si “të dobët”.

“Mendoj se duan të jenë politikisht korrektë, por nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk e di çfarë po bën”, është shprehur Trump.

Sipas presidentit amerikan, edhe Zelensky duhet të ndryshojë qëndrim. “Duhet të veprojë dhe të fillojë të pranojë disa gjëra, sepse kështu ndodh kur je duke humbur – dhe ai po humb”, ka deklaruar Trump.

Në krahun tjetër, Bashkimi Evropian ka riafirmuar mbështetjen e plotë për Ukrainën. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se “propozimi evropian për asetet do të rrisë ndjeshëm koston e luftës për Rusinë”.

Megjithatë, afrimi i perceptuar mes Uashingtonit dhe Moskës po shkakton shqetësime në Bruksel. Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka qenë i prerë: “Nuk pranojmë ndërhyrje. Aleatët duhet të sillen si aleatë”.

Vizita e Zelenskyt në Itali dhe deklaratat e forta nga Uashingtoni vijnë në një moment delikat për konfliktin në Ukrainë, ndërsa përçarjet politike dhe diplomatike brenda Perëndimit po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu