Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar vendosjen e një tarife shtesë 100% ndaj të gjitha importeve nga Kina, duke e akuzuar Pekinin për një “qëndrim jashtëzakonisht agresiv” në tregti. Masa do të hyjë në fuqi më 1 nëntor, përveç rasteve kur Kina të ndryshojë qëndrimin e saj.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se Kina ka dërguar “një letër jashtëzakonisht armiqësore ndaj botës” dhe ka vendosur “kontrolle të mëdha të eksportit për pothuajse çdo produkt që prodhojnë”. Si kundërpërgjigje, SHBA do të vendosë jo vetëm tarifa të reja, por edhe kontrolle të reja të eksportit për softuer kritik drejt Kinës.

“Bazuar në këtë pozicion të paprecedentë të Kinës… Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin një tarifë 100% ndaj Kinës, mbi çdo tarifë ekzistuese,” – shkroi Trump.

Kjo përballje e re u nxit nga kufizimet që Kina vendosi së fundmi për eksportin e mineraleve të rralla tokësore, materiale të rëndësishme për prodhimin e elektronikës, automjeteve elektrike dhe sistemeve ushtarake.

Trump gjithashtu anuloi një takim të planifikuar me presidentin kinez Xi Jinping, që do të zhvillohej gjatë një udhëtimi në Korenë e Jugut në fund të muajit, përpara samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Aziatik-Paqësor (APEC).

“Nuk duket se ka ndonjë arsye për të takuar presidentin Xi,” – shkroi ai. “Ka shumë masa të tjera kundërpërgjigjeje që po shqyrtohen seriozisht.”

Ky zhvillim shënon përplasjen më të madhe në marrëdhëniet Pekin-Uashington në gjashtë muajt e fundit dhe rrit shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm që mund të tronditë stabilitetin ekonomik global./oranews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu