
Tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump ndaj mallrave të huaja kanë arritur në nivelin më të lartë në SHBA që nga periudha para Luftës së Dytë Botërore. Sipas të dhënave të Universitetit Yale, tarifa efektive amerikane ka kapur nivelin 17.3 për qind, e afërt me rekordin e vendosur pas Aktit Smoot-Hawley të vitit 1930, që çoi në tarifa deri në 20 për qind.
Që nga marrja e detyrës në janar, Trump ka miratuar një seri marrëveshjesh dhe përjashtimesh që mbulojnë rreth 60% të importeve amerikane që kishin qenë objekt tarifash “reciproke”. Megjithatë, rreth 45% e të gjitha importeve janë tashmë të përfshira në një regjim tarifor të lartë që pritet të shkaktojë ndryshime të thella në rendin tregtar global.
Ekspertët paralajmërojnë se proteksionizmi i ri do të ndikojë në mënyrë të theksuar në zinxhirët e furnizimit dhe tregjet botërore.
“Trump ka krijuar një epokë të re të proteksionizmit amerikan që do të ketë jehonë në gjithë sistemin tregtar global”, tha profesori Eswar Prasad nga Universiteti Cornell.
Presidenti amerikan ka ndërmarrë hapa të ngjashëm ndaj BE-së, Britanisë së Madhe, Japonisë, Vietnamit dhe vendeve të tjera, duke dhënë përjashtime ose marrëveshje të pjesshme, ndërkohë që kërcënon se do të vendosë tarifa të plota ndaj atyre që nuk pranojnë të negociojnë deri më 1 gusht.
Ndërkohë, marrëveshjet janë përshëndetur nga tregjet financiare që kanë regjistruar rritje të ndjeshme. Por analistët paralajmërojnë se efektet e tarifave do të ndihen në fitimet e kompanive për muajt në vijim.
Dollarit amerikan, nga ana tjetër, ende nuk i është rikthyer stabiliteti që prej shpalljes së tarifave të prillit, duke mbetur rreth 10%më i dobët kundrejt valutave kryesore.
Megjithëse Trump e paraqet këtë qasje si një fitore në mbrojtje të interesave kombëtare dhe ekonomisë amerikane, shumë ekspertë shprehen të shqetësuar për pasojat afatgjata që mund të ketë një luftë tregtare në përmasa të tilla./tvklan