
Një bazë e izoluar ushtarake në akullnajat e Alaskës do të jetë skena e një prej samiteve më të rëndësishme të kohëve moderne mes dy superfuqive.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu rus Vladimir Putin do të takohen “kokë më kokë” të premten në bazën Elmendorf-Richardson, pranë Anchorage. Ky takim shihet si një mundësi për Putinin për të treguar se dëshiron paqe.
Baza është e mbushur me trupa të Forcave Ajrore, Ushtrisë, Marinës dhe Korpusit të Marinsave të SHBA-së, si dhe efektivë të Gardës Kombëtare dhe rezervistë. Në total, mbi 32 mijë personel ushtarak dhe familjet e tyre jetojnë aty, rreth 10% e popullsisë së Anchorage së bashku me arinj grizzly, drerë të mëdhenj dhe ujq.
Sipas Bibliotekës së Kongresit, Elmendorf-Richardson ka luajtur një rol “veçanërisht të rëndësishëm” në mbrojtjen e SHBA-së nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.
Fillimisht, Shtëpia e Bardhë hezitoi të priste një lider rus në një mjedis ushtarak amerikan, por përfundimisht u vendos se kjo ishte e vetmja hapësirë në Alaska që mund të garantojë nivelin e sigurisë së kërkuar për një takim kaq delikat.
Putin do të udhëtojë rreth 9 orë nga Moska, ndërsa Trump 7 orë e gjysmë nga Uashingtoni, me pistë të mjaftueshme për avionët presidencialë të të dy vendeve.
Elmendorf-Richardson ka pritur edhe më parë takime historike. Në vitin 1971, presidenti Richard Nixon zhvilloi aty një bisedë 30-minutëshe me Perandorin Hirohito të Japonisë, hera e parë që një monark japonez në detyrë vizitonte tokë të huaj.
Vizita e Putinit pritet të zgjasë më shumë se ajo e Hirohitos, por nuk do të kalojë në ditën e shtunë.
Në vitin 2021, edhe presidenti Joe Biden zgjodhi Anchorage për një takim me delegacionin kinez, por ai përfundoi me tensione, pasi pala kineze e akuzoi SHBA-në për “mendjemadhësi dhe hipokrizi”. Trump shpreson për një rezultat më të suksesshëm këtë herë.