
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se po aplikon një pauzë 90-ditore për tarifat e reja, për të gjitha vendet përveç Kinës.
Sipas asaj që raportojnë mediat e huaja në të njëjtën kohë që dha këtë lajm, Presidenti Trump gjithashtu njoftoi se është vendosur rritja e normave të tarifave ndaj Kinës në 125%.
Nuk ishte menjëherë e qartë se për cilat vende do të zbatohej pauza, teksa detaje të mëtejshme priten në vijim.
Në të njëjtin mesazh në rrjetet sociale, Trump tha se ai po rrit tarifat e SHBA-së ndaj Kinës ndërsa punon për të sjellë Pekinin në tryezën e negociatave.
“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, unë po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, në fuqi menjëherë. Në një moment, shpresojmë se në të ardhmen e afërt, Kina do të kuptojë se ditët e shqyerjes së SHBA-së dhe vendeve të tjera, nuk janë më të qëndrueshme ose të pranueshme”, shkroi ai.
Kujtojmë se tarifat e importit të vendosura nga Donald Trump që hynë në fuqi këtë të mërkurë, godasin 60 vende të cilat shefi i Shtëpisë së Bardhë i akuzon për pandershmëri në marrëdhëniet tregtare./klan