Presidenti Donald Trump doli të enjten nga një telefonatë prej 90 minutash me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, me një ton optimist, duke shpresuar se tensionet tregtare në rritje midis dy vendeve mund të zgjidhen së shpejti.

Duke e përshkruar bisedën si “shumë të mirë”, Trump shkroi në rrjetin e tij social Truth Social se do të organizoheshin së shpejti bisedime të tjera me ekipin e tij ekonomik, ndërsa ai dhe Xi kishin ftuar njëri-tjetrin për vizita shtetërore në vendet përkatëse.

Sipas Trump, telefonata ishte përqendruar pothuajse tërësisht në tregti, pa prekur çështje të tjera gjeopolitike si Irani apo Ukraina.

“Kjo bisedë rezultoi në një përfundim shumë pozitiv për të dy vendet,” shkroi ai.

Telefonata erdhi pas një periudhe të gjatë heshtjeje mes dy liderëve, dhe mënyra se si secila palë e trajtoi paraprakisht komunikimin – ose mungesën e tij – theksoi më tej hendekun që po thellohet mes dy ekonomive më të mëdha të botës.

Tensionet janë shtuar javët e fundit pas një armëpushimi 90-ditor tregtar të arritur muajin e kaluar, i cili kishte ndalur përkohësisht përshkallëzimin e tarifave reciproke. Javën e kaluar, Trump akuzoi Kinën se kishte “shkelur” marrëveshjen – një akuzë që Pekini e mohoi, ndërkohë që akuzoi Shtetet e Bashkuara për hapa që “minojnë seriozisht” konsensusin e arritur.

Në përmbledhjen e tij për telefonatën e së enjtes, Trump theksoi veçanërisht çështjen e mineraleve të rralla – për të cilat Kina kishte vendosur kufizime – si një fushë ku u arrit përparim në bisedimet me homologun kinez.

“Nuk duhet të ketë më asnjë paqartësi lidhur me kompleksitetin e produkteve nga mineralet e rralla,” shkroi Trump.

Ai shtoi se një takim mes ekipeve ekonomike të dy vendeve do të mbahej “së shpejti” në një vend që ende nuk është përcaktuar. Gjithashtu theksoi se të dy liderët mezi presin të vizitojnë njëri-tjetrin.

“Gjatë bisedës, Presidenti Xi më ftoi me shumë mirësjellje, bashkë me Zonjën e Parë, për të vizituar Kinën, dhe unë e ftova po ashtu atë. Si Presidentë të dy Kombeve të Mëdha, kjo është diçka që të dy mezi e presim,” shkroi Trump.

Zyrtarë amerikanë kishin sinjalizuar ditët e fundit se një telefonatë midis dy liderëve mund të ringjallte përpjekjet për përparim në bisedimet tregtare, të cilat kishin ngecur pas marrëveshjes së parë në Gjenevë.

Sipas raportimeve të CNN përpara telefonatës, zyrtarët kinezë, që ishin skeptikë për shkak të papriturave të Trump dhe mënyrës se si ai kishte vënë në situata të vështira liderë të huaj, kishin hezituar të pranonin një telefonatë – edhe pse Trump kishte thënë disa herë gjatë pranverës se priste të fliste së shpejti me Xi.

Burime të afërta thonë se incidentet e mëparshme në Zyrën Ovale, ku Trump e vendosi në pozitë të sikletshme presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atë të Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, i kishin bërë zyrtarët në Pekin të kujdesshëm, edhe kur bëhej fjalë për një bisedë private.

Por për Trump-in, arritja e një marrëveshjeje të re me Kinën është një pjesë kyçe e axhendës së tij më të gjerë tregtare dhe një vijim i natyrshëm i përpjekjeve të tij në mandatin e parë, të cilat u ndërprenë nga pandemia e Covid-19.

Dy liderët thuhet se kishin komunikuar për herë të fundit më 17 janar, pak ditë përpara inaugurimit të Trump-it. Marrëdhënia e tyre ka qenë e tensionuar, me mosmarrëveshje që shtrihen përtej çekuilibrave të mëdhenj tregtarë.

Pas bisedimeve të zhvilluara muajin e kaluar në Gjenevë, zyrtarët amerikanë prisnin që Kina të lehtësonte kufizimet për eksportin e mineraleve të rralla, të vendosura në prill si kundërpërgjigje ndaj tarifave të reja amerikane. Këto minerale janë thelbësore për teknologjitë moderne – që nga iPhone dhe automjetet elektrike, deri te armatimet e avancuara si avionët luftarakë F-35 dhe sistemet raketore.

Por kufizimet nuk janë hequr ende, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi të madhe brenda administratës Trump dhe ka sjellë një seri masash të reja ndaj Kinës, sipas burimeve të CNN.

Ndërkohë, Pekini është acaruar nga paralajmërimet e Uashingtonit ndaj kompanive që përdorin çipe inteligjente të Huawei-t, ndalimi i shitjeve të teknologjive kritike për Kinën, dhe vendimi i SHBA për të “revokuar agresivisht vizat” për studentët kinezë që kanë lidhje me Partinë Komuniste ose që studiojnë në fusha të ndjeshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu