
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka paralajmëruar vendosjen e tarifave 100% ndaj çdo shteti që vazhdon tregtinë me Rusinë, nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje për Ukrainën brenda 50 ditëve. Paralelisht, ai ka njoftuar se SHBA do të furnizojë Ukrainën me “armë të teknologjisë së fundit” përmes vendeve të NATO-s, në një lëvizje të re për të rritur presionin mbi Moskën.
“Duam që Ukraina të mund të bëjë atë që do të bëjë,” deklaroi Trump pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas Rutte, marrëveshja parashikon që vendet evropiane t’i dërgojnë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe municione, të cilat më pas do të zëvendësohen nga SHBA. Megjithëse nuk u dhanë detaje të plota për llojin e armëve, Trump konfirmoi se furnizimi ushtarak do të jetë në vlerë prej miliarda dollarësh dhe do të shpërndahet menjëherë në fushëbetejë.
Në deklaratën e tij, Rutte u shpreh se nëse ai do të ishte Vladimir Putin sot, do të rimendonte seriozisht vazhdimin e luftës.
Sa i përket tarifave, Trump njoftoi se çdo vend që vijon tregtinë me Rusinë, do të penalizohet rëndë në tregun amerikan. Si shembull, ai përmendi Indinë: nëse India vazhdon të blejë naftë ruse, produktet e saj të eksportuara në SHBA do të përballen me taksa doganore 100%, çka do t’i bënte ato të papërballueshme për tregun amerikan.
Kjo lëvizje synon të izolojë ekonomikisht Moskën dhe t’i ndërpresë burimet financiare për luftën në Ukrainë. Rreth 60% e eksporteve dhe një e treta e të ardhurave buxhetore të Rusisë vijnë nga nafta dhe gazi, ndaj një sulm i tillë tregtar mund të ketë ndikim të ndjeshëm.
Megjithatë, ndryshe nga pritshmëritë, bursa ruse u rrit pas njoftimit, me analistët që sugjerojnë se tregjet prisnin masa edhe më të ashpra nga Trump.
Kjo është hera e parë që Trump, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, premton dërgim armësh të reja për Ukrainën. Retorika e tij ndaj Putinit është ashpërsuar ndjeshëm kohët e fundit, ndonëse ai vazhdon të lërë hapur linja komunikimi me liderin rus. “Nuk dua ta quaj vrasës, por është një tip i fortë. I ka mashtruar të gjithë: Clintonin, Bushin, Obamën, Bidenin… mua jo,” u shpreh Trump.
Nga Kievi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti një “takim produktiv” me të dërguarin amerikan Keith Kellogg dhe falënderoi Trump për mbështetjen.
Nga ana tjetër, në Moskë komentet fillestare ishin përçmuese. Ish-këshilltari i Putinit, Sergei Markov, e quajti paralajmërimin për tarifa një “bluf”, ndërsa senatori Konstantin Kosachev u shpreh se njoftimi ishte “zë shumë, për asgjë”. Ai shtoi se në 50 ditë shumëçka mund të ndryshojë – si në fushëbetejë, ashtu edhe në qarqet vendimmarrëse të SHBA dhe NATO-s.