
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një ulje e mëtejshme e çmimeve të energjisë do të detyronte presidentin rus Vladimir Putin të ndalonte luftën.
“Nëse çmimet e energjisë bien mjaftueshëm, Putini do të ndalojë së vrari njerëz,” tha Trump në një intervistë për televizionin CNBC.
Ai shtoi se:
“Nëse nafta bie edhe me 10 dollarë për fuçi, ai nuk do të ketë zgjedhje tjetër, sepse ekonomia e tij është në gjendje të mjerueshme.”
Gjatë intervistës, Trump njoftoi gjithashtu se do të bëjë së shpejti publike vendimet për zëvendësimin e anëtares së larguar të Bordit të Rezervës Federale, Adriana Kugler, e cila dha dorëheqjen të premten. Po ashtu, ai po shqyrton emrat e mundshëm për postin e kreut të ardhshëm të Fed-it, pasi mandati i presidentit aktual Jerome Powell përfundon në maj 2026.
Trump konfirmoi se po shqyrtohen katër kandidatë, por Sekretari i Thesarit, Scott Besent, nuk është një prej tyre.
“E dua Scott-in, por ai dëshiron të qëndrojë aty ku është,” tha Trump. “E pyeta mbrëmë: ‘E dëshiron këtë post?’ Ai u përgjigj: ‘Jo, dua të qëndroj aty ku jam. Dua të punoj me ty. Është një nder i madh.’ I thashë: ‘Shumë bukur, e vlerësoj shumë.’”
Ndër emrat që po shqyrtohen për postin e kreut të Rezervës Federale janë Kevin Warsh, ish-guvernator i Fed-it, dhe Kevin Hassett, ish-drejtor i Këshillit Kombëtar Ekonomik dhe një nga këshilltarët kryesorë ekonomikë të Trump.
Të dy kandidatët njihen si përkrahës të politikave të uljes së normave të interesit.
“Të dy Kevinet janë shumë të mirë – dhe ka edhe disa të tjerë që janë po aq të mirë,” përfundoi Trump.