
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kundërshtuar deklaratat e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio lidhur me arsyet e sulmeve ndaj Iranit, duke sugjeruar se vendimi për operacionin ushtarak nuk erdhi si pasojë e presionit nga Izraeli.
I pyetur nga ABC News nëse Izraeli e kishte detyruar të ndërmerrte sulmet, Trump u përgjigj:
“Jo. Ndoshta unë i detyrova ata të veprojnë. Ne ishim në negociata me këta të çmendur dhe sipas mendimit tim ata do të sulmonin të parët.”
Trump shtoi se, bazuar në mënyrën si po zhvilloheshin negociatat, ai besonte se Irani po përgatitej për një sulm dhe se veprimi ushtarak kishte për qëllim ta parandalonte këtë skenar.
“Po të mos vepronim ne, ata do të sulmonin të parët. Nuk doja që kjo të ndodhte. Nëse ka ndodhur diçka, ndoshta unë e detyrova Izraelin të vepronte, por Izraeli ishte gati dhe ne ishim gati”, tha Trump.
Deklarata e tij bie ndesh me atë që kishte thënë një ditë më parë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i cili argumentoi se kërcënimi nga Irani ishte “i menjëhershëm”, pasi SHBA-të kishin informacion se Teherani do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi, përfshirë edhe një sulm të mundshëm nga Izraeli.
Komentet vijnë ndërsa konflikti mes Iranit dhe koalicionit SHBA-Izrael po vazhdon me sulme ajrore, raketa dhe dronë në disa vende të rajonit.






