
Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump mbi Groenlandinë kanë shkaktuar reagime të forta në Evropë dhe brenda NATO-s. Në një intervistë për New York Times, Trump tha se mund të gjendet përballë një zgjedhjeje mes aneksimit të Groenlandisë dhe ruajtjes së NATO-s, duke shtuar se “Europa duhet të rregullohet”.
Trump ka argumentuar se kontrolli i Groenlandisë është i domosdoshëm për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke përmendur rritjen e interesit strategjik të Rusisë dhe Kinës në Arktik. Ai ka theksuar se “pronësia” mbi ishullin është “psikologjikisht e nevojshme” për suksesin e SHBA-së, duke mos përjashtuar as skenarë ekstremë.
Ndërkohë, NATO ka konfirmuar se po zhvillon “dialogë konstruktivë” mbi Groenlandinë, duke theksuar rëndësinë strategjike të Arktikut. Komandanti Suprem i Aleancës në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, ka deklaruar se megjithëse nuk ka një kërcënim të menjëhershëm, bashkëpunimi ushtarak mes Rusisë dhe Kinës në Arktik po rritet, përfshirë patrullime të përbashkëta detare.
Reagime të forta kanë ardhur edhe nga liderët evropianë. Kryeministri suedez Ulf Kristersson e cilësoi “kërcënuese” retorikën e Trump ndaj Danimarkës dhe Groenlandisë, ndërsa Spanja, Gjermania dhe Bashkimi Evropian kanë theksuar se integriteti territorial dhe sovraniteti i Groenlandisë duhet të respektohen, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Nga ana e saj, Danimarka ka bërë të qartë se Groenlandia nuk është në shitje, duke theksuar se statusi i saj është i njohur ndërkombëtarisht, përfshirë edhe nga SHBA. Edhe partitë politike në Groenlandë kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët: “Nuk duam të jemi amerikanë apo danezë, duam të jemi groenlandezë”.
Situata ka nxitur edhe reagime në opinionin publik danez, ku është shënuar një bojkoti i gjerë ndaj produkteve amerikane, përfshirë marka si Coca-Cola dhe platforma si Netflix.
Tensionet rreth Groenlandisë po e kthejnë Arktikun në një pikë kyçe të përplasjes gjeopolitike, duke vënë në provë marrëdhëniet transatlantike dhe unitetin e NATO-s.






