
Presidenti amerikan Donald Trump ka folur sërish për gjendjen e tij shëndetësore, duke zbuluar detaje të reja rreth vizitës së tij të diskutuar në Qendrën Mjekësore Walter Reed. Gjatë një bisede informale me gazetarët në bord të Air Force One, Trump tha se kishte kryer një rezonancë magnetike, të cilën mjekët e kishin vlerësuar si “të jashtëzakonshme”.
“Bëra një rezonancë magnetike”, tha Trump, duke iu referuar kontrollit të kryer në tetor. “Mjeku më tha se ishte rezultati më i mirë që kishte parë ndonjëherë si mjek. Ishte një rezultat i jashtëzakonshëm.”
I pyetur nëse mjekët kishin kontrolluar trurin e tij, presidenti u përgjigj me stilin e tij karakteristik:
“Nuk kam asnjë ide çfarë ekzaminuan, por çfarëdo që analizuan, e analizuan mirë. Dhe thanë se kisha rezultatin më të mirë që kishin parë ndonjëherë.”
Shqetësimet për gjendjen shëndetësore të presidentit u shtuan pas ndalimit të papritur disaorësh në Walter Reed, ndalim i përshkruar nga mjeku i Shtëpisë së Bardhë si pjesë e një “rishikimi të planifikuar”, që përfshinte edhe “kontrolle të avancuara imazherike”.
Megjithatë, ish-mjeku i Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Obama, Jeffrey Kuhlman, ka shprehur dyshime mbi arsyet e kohëzgjatjes së vizitës së presidentit në spital, duke lënë të hapura diskutimet për shëndetin e shefit të Shtëpisë së Bardhë.







