
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar zëvendësimin e Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, duke emëruar në këtë post senatorin republikan Markwayne Mullin.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Trump përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ku ai falënderoi Noem për punën e saj në drejtimin e departamentit dhe për rezultatet që, sipas tij, ka arritur gjatë mandatit.
Noem, e cila ka qenë një nga figurat kryesore në politikat e administratës Trump për emigracionin dhe sigurinë kufitare, do të kalojë në një rol të ri si e dërguar speciale për nismën “Shield of the Americas”, një iniciativë e re sigurie në hemisferën perëndimore.
Në të njëjtin njoftim, Trump lavdëroi senatorin Mullin, duke e cilësuar atë si një “luftëtar MAGA” dhe një politikan që do të punojë për forcimin e sigurisë në kufijtë e Shteteve të Bashkuara.
“Markwayne Mullin do të punojë pa u lodhur për të mbajtur kufijtë e SHBA të sigurt”, tha Trump.
Vendimi vjen pas muajsh presioni dhe kritikash ndaj Noem për mënyrën e drejtimit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, si dhe pas debateve të forta në Kongres lidhur me disa politika dhe vendime të departamentit.



