
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka formuar “kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme” për Groenlandën, pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump bëri të ditur se marrëveshja e diskutuar lidhet jo vetëm me Groenlandën, por edhe me rajonin e Arktikut, duke theksuar se një zgjidhje e tillë, nëse finalizohet, do të ishte në interes të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të NATO-s. Ai shtoi se, në këto kushte, nuk do të vendosen tarifa të reja ndaj vendeve europiane, të cilat më herët kishin kundërshtuar ambiciet e tij për ishullin.
Gjatë fjalimit të tij në Davos, Trump përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për marrjen e Groenlandës, por ritheksoi se SHBA ka interes strategjik për kontrollin e ishullit, të cilin e cilësoi thelbësor për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe projektin e mbrojtjes raketore “Golden Dome”.
Trump deklaroi gjithashtu se mund të imagjinonte pagesën e një shume parash për Groenlandën, territor gjysmë-autonom i Danimarkës, duke kritikuar Kopenhagën për refuzimin e dorëzimit të ishullit. Autoritetet daneze kanë përsëritur se Groenlanda nuk është në shitje.
Negociatat e mëtejshme, sipas Trump, do të udhëhiqen nga zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë nënpresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe të dërguarin special Steve Witkoff.
Deklaratat e presidentit amerikan kanë nxitur reagime kritike në SHBA dhe Europë, ndërsa disa senatorë republikanë i kanë cilësuar qëndrimet e tij ndaj Danimarkës dhe Groenlandës si të papërshtatshme dhe të dëmshme për unitetin e NATO-s.






