Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se “nuk ka kthim pas” nga plani i tij për Groenlandën, duke theksuar se ishulli është “thelbësor për sigurinë kombëtare dhe atë globale”. Gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Trump tha se do t’u përcjellë liderëve evropianë mesazhin se Shtetet e Bashkuara “duhet ta kenë” Groenlandën.

Deklaratat e presidentit amerikan kanë shkaktuar reagime të forta në Evropë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i quajti kërcënimet e Trump për tarifa “një gabim”, duke paralajmëruar se përgjigjja e BE-së do të jetë “e palëkundur, e bashkuar dhe proporcionale”.

Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian qëndron në “solidaritet të plotë” me Groenlandën dhe Mbretërinë e Danimarkës, duke nënvizuar se sovraniteti i tyre është “i panegociueshëm”. Ajo shtoi se BE do të punojë “dorë për dore” me Danimarkën dhe Groenlandën për mbështetjen e ekonomisë dhe infrastrukturës lokale, si dhe për forcimin e sigurisë në Arktik.

Në rrjetet sociale, Trump publikoi mesazhe që pretendon se i ka marrë nga liderë evropianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, i cili thuhet se i ka shkruar: “Nuk e kuptoj çfarë po bën me Groenlandën”. Trump po ashtu shpërndau imazhe të gjeneruara, ku shfaqet duke vendosur flamurin amerikan në Groenlandë.

Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej pasi Trump kërcënoi tetë aleatë evropianë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Danimarkën, me tarifa 10% nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me Groenlandën.

Ndërkohë, zhvillimet kanë ndikuar edhe në tregjet financiare. Aksionet evropiane kanë shënuar rënie, ndërsa ari ka arritur një rekord të ri historik si aset i sigurt në kohë pasigurie. Edhe dollar amerikan është dobësuar ndaj euros dhe paundit.

Situata mbetet e tensionuar në Davos, ndërsa pritet me interes fjalimi i radhës i presidentit Trump, i cili pritet të japë më shumë detaje mbi qëndrimin e SHBA-së dhe marrëdhëniet me aleatët evropianë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu