Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se marrëdhënia e tij me financierin e diskredituar Jeffrey Epstein përfundoi pasi ky i fundit “vodhi” vajza të reja që punonin në klubin e tij Mar-a-Lago.

Duke u kthyer nga një vizitë në Skoci, Trump u pyet nga gazetarët në bordin e Air Force One për komentet e mëparshme që kishte bërë lidhur me Epstein. “Ai mori njerëz që punonin për mua, i thashë ‘mos e bëj më’, por ai vazhdoi. Kjo ishte fundi për të”, deklaroi Trump.

Ai konfirmoi se punonjëset në fjalë ishin vajza të reja që ishin punësuar në spa-në e resortit të tij luksoz në Florida. Ndër to ishte edhe Virginia Giuffre, e cila ka thënë më parë se nisi punë në Mar-a-Lago në vitin 2000, kur ishte vetëm 16 vjeç. Giuffre më vonë akuzoi Epstein dhe princin Andrew për abuzim seksual — akuza që ata i mohuan. Ajo ndërroi jetë më herët këtë vit në Australi, në atë që autoritetet raportuan si vetëvrasje.

Kjo deklaratë vjen ndërkohë që presioni publik për transparencë lidhur me rastin Epstein sa vjen e rritet. Kongresi amerikan ka thirrur për të dëshmuar Ghislaine Maxwell-in, bashkëpunëtoren e ngushtë të Epstein-it, e cila është dënuar me 20 vite burg për trafikim seksual të vajzave të mitura.

Avokatët e Maxwell kanë bërë të ditur se ajo do të jetë e gatshme të dëshmojë vetëm nëse i ofrohet imunitet ligjor ose falje nga presidenti, si dhe nëse pyetjet i dërgohen paraprakisht.

Trump, i cili në fushatën e tij kishte premtuar të publikonte “listën e klientëve” të Epstein, është nën trysni pas raporteve të Wall Street Journal, sipas të cilave emri i tij figuron në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë. Megjithatë, prania në këto dokumente nuk përbën provë për ndonjë shkelje ligjore.

Media amerikane ka raportuar gjithashtu për raste të mëparshme ku dy gra kanë akuzuar Trump për ngacmime seksuale në evente ku ishte i pranishëm edhe Epstein. Në një rast, Jill Harth e akuzoi atë për puthje dhe prekje të padëshiruara në një festë në Mar-a-Lago. Trump i ka mohuar akuzat dhe padia u tërhoq më pas.

Po ashtu, modelja Stacey Williams pretendoi se Trump e ngacmoi seksualisht në Trump Tower pasi u soll aty nga Epstein. Edhe këtë herë, Trump ka mohuar çdo përfshirje.

Së fundmi, ish-presidenti ka hedhur poshtë edhe një letër “tallëse” që thuhet se ia kishte dërguar Epstein në 2003 për ditëlindjen, duke e quajtur raportimin “fake news” dhe duke paditur Wall Street Journal për shpifje.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, James Comer, ka përjashtuar çdo mundësi që Maxwell të përfitojë imunitet kongresional, duke theksuar se “nuk ka shumë republikanë që duan t’i japin imunitet dikujt që ka trafikuar fëmijë”.

E gjithë kjo çështje po shkakton ndarje të thella edhe brenda rrethit të mbështetësve të linjës së ashpër të Trump, duke ringjallur debate të vjetra dhe duke thelluar mosbesimin ndaj institucioneve që merren me rastin Epstein.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu