Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është shprehur se ndihet “shumë i zemëruar” dhe “i mërzitur”, pas deklaratave të fundit të homologut rus Vladimir Putin , i cili vuri në dyshim besueshmërinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në një telefonatë për rrjetin amerikan NBC News, Trump kritikoi presidentin rus për propozimin e tij për të krijuar një qeveri të përkohshme në Kiev.

“Kjo nuk është rruga e duhur”, theksoi Trump.

Presidenti amerikan paralajmëroi se nëse nuk arrin një marrëveshje me Moskën për të ndalur gjakderdhjen në Ukrainë dhe nëse gjykon se Rusia është përgjegjëse – “edhe pse mund të mos jetë” – atëherë ai synon të vendosë tarifa dytësore për naftën ruse.

“Kjo do të thotë se nëse blini naftë nga Rusia, nuk do të jeni në gjendje të bëni biznes në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Siç sqaroi ai, tarifat do të variojnë nga 25% deri në 50% për çdo eksport të naftës ruse.

Trump njoftoi gjithashtu se ai planifikon të flasë sërish me Putinin brenda javës.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Moska. Rusia i ka përshkruar sanksionet perëndimore kundër saj si “të paligjshme” dhe, siç pretendon ajo, synon të përfitojë ekonomikisht Perëndimi.

Kujtojmë se disa ditë më parë, presidenti rus propozoi vendosjen e një qeverie të përkohshme në Ukrainë, nën administrimin e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që në vend të mbahen zgjedhje presidenciale si edhe për të nënshkruar marrëveshje vendimtare për t’i dhënë fund luftës.

“Një qeveri e përkohshme mund të marrë pushtetin në Ukrainë, nën kujdesin e OKB-së, SHBA-ve, vendeve evropiane dhe partnerëve tanë,” tha Putin, duke folur me anëtarët e marinës ruse në portin verior të Murmansk.

“Në këtë mënyrë do të jetë e mundur të mbahen zgjedhje dhe të sillet në pushtet një qeveri e aftë që do të gëzonte besimin e popullit, në mënyrë që bisedimet për një marrëveshje paqeje të mund të fillojnë”, tha presidenti rus.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu