
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur sot, 22 tetor, një nga paketat më të mëdha të sanksioneve kundër Rusisë, pasi siç njoftoi Kreu i Thesarit Amerikan, Scot Bessent, “u kuptua se Vladimir Putin nuk ishte i sinqertë dhe i drejtë në bisedimet për Ukrainën”.
Bessent bëri të ditur sanksionet një ditë pasi u anulua samiti i planifikuar Trump-Putin në Budapest, duke shtuar se lideri amerikan është i zhgënjyer nga fakti se ende nuk u arrit një armëpushim mes Moskës dhe Kievit.
Pas deklaratës për mediat nga Shtëpia e Bardhë, ai shtoi më vonë për Fox Business:
Kjo është paketa më e madhe e sanksioneve që kemi bërë ndonjëherë kundër Federatës Ruse!

Pavarësisht se Trump kishte hezituar për muaj me radhë për të vendosur masa të reja, duke shpresuar të bindte presidentin rus për paqe, gjithçka mori drejtim tjetër gjatë gjashtë ditëve të fundit, pas telefonatës së tij me Putinin.
Po çfarë përfshijnë sanksionet?
SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha ruse të naftës, Rosneft dhe Lukoil, në një përpjekje për të mbështetur përpjekjet e Donald Trump për të ndalur luftën në Ukrainë.
Ky është hera e parë që Trump vendos kostot direkte ndaj Rusisë për shkak të luftës.
“Është koha për të ndalur vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Për ta kuptuar:
-Ndalohet pjesëmarrja e Rosneft dhe Lukoil në transaksionet me dollarë amerikanë, duke kufizuar fuqinë e tyre financiare
-Një numër degësh të këtyre kompanive që operojnë jashtë Rusisë gjithashtu janë sanksionuar, duke bllokuar transaksionet ndërkombëtare.
Efekti i menjëhershëm i sanksioneve sipas Financial Times, u pasqyrua në rritjen e çmimeve të naftës bruto mbi 3%.
Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje aleatëve të tyre të ndjekin këtë model sanksionesh, ndërkohë që Bashkimi Evropian është gati të shpallë paketën e 19-të të ndëshkimeve ndaj Moskës, përfshirë ndalimin e importeve të gazit natyror të lëngshëm rus.
Kujtojmë se administrata e Biden vendosi sanksione ndaj kompanive ruse Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, por shmangu ndëshkimin e Rosneft dhe Lukoil, për të mos rritur çmimet globale të energjisë. Me vendimin e Trump, tani të katër kompanitë më të mëdha të naftës ruse janë prekur nga sanksionet amerikane.






