Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër nga presidenti amerikan Donald Trump, në të cilën ai vlerëson lidershipin e Kosovës dhe përkushtimin e saj për të forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës, në letrën e tij, Trump shpreh “mirënjohje të thellë” për miqësinë e treguar dhe thekson dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet në vijim.

Ai veçoi vendimin e Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme për 50 shtetas nga vende të treta, si pjesë e bashkëpunimit me SHBA-në, duke e cilësuar këtë si një akt që pasqyron “gatishmërinë e fortë për bashkëpunim” dhe “fuqinë e dhembshurinë e popullit të Kosovës”.

“Lidershipi juaj në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës,” shkruan Trump, sipas njoftimit.

Në letrën e tij, ai nënvizon se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mbështetura në respekt të ndërsjellë, vlera demokratike të përbashkëta dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe të begatë.

“Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” thuhet në letrën e presidentit amerikan.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu