Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi të martën ceremoninë tradicionale të faljes së gjelave në Shtëpinë e Bardhë, një ritual i përvitshëm i Ditës së Falënderimeve. Por, ndryshe nga atmosfera festive që zakonisht e karakterizon këtë event, Trump e shfrytëzoi skenën për të lëshuar batuta dhe sulme politike ndaj kundërshtarëve të tij.

Gjatë ceremonisë në oborrin Rose Garden, Trump fali dy gjelat e këtij viti, “Gobble” dhe “Waddle”. Megjithatë, para se të kalonte te momenti simbolik, ai ironizoi disa prej figurave kryesore të Partisë Demokratike. Trump tha se gjelave duhet t’u viheshin emrat “Chuck” dhe “Nancy”, sipas senatorit Chuck Schumer dhe ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke shtuar më pas: “Por unë kurrë nuk do t’i falja ata.”

Presidenti u ndal edhe te ceremonia e vitit të kaluar, duke pretenduar se faljet e nënshkruara nga Joe Biden ishin “të pavlefshme”, me argumentin se ai kishte përdorur autopen. Me ironi ai shtoi pyetjen e njohur politike: “Ku është Hunter?”, duke nënkuptuar se djali i Biden mund të përballet sërish me probleme ligjore.

Trump komentoi edhe përplasjet me guvernatorin e Illinois, J.B. Pritzker, i cili ka kundërshtuar planet e administratës për dislokimin e Gardës Kombëtare në Chicago. Gjatë fjalës së tij, presidenti u ndal sërish te batutat, duke u shprehur: “Nuk dua të them që ai është një… por e dini ju.”, duke iu referuar Pritzker-it me një fyerje që nuk e përfundoi.

Ceremonia vijoi mes të qeshurash sporadike nga të pranishmit, të ulur nën një qiell të vrenjtur dhe reshje të lehta shiu. Trump më pas njoftoi faljen formale të gjelit “Gobble”, duke theksuar: “Ti je i falur pa kushte. Kush do të donte t’i bënte keq këtij shpendi të bukur?”

Ndërkohë, “Waddle”, gjeli tjetër, u shfaq më herët edhe në dhomën e informimit të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti përdori ceremoninë për të pohuar se çmimet e darkës së Falënderimeve janë ulur nën drejtimin e tij, megjithëse analizat e pavarura tregojnë se kostot këtë vit mund të jenë më të larta, duke reflektuar pakënaqësinë e vazhdueshme për inflacionin.

Eventi vjen në një moment politik të trazuar për Trump. Ai po përpiqet të avancojë planin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për operacione ushtarake ndaj Venezuelës, në kuadër të një fushate ndaj trafikimit të drogës. Ndërkohë, brenda vendit, presidenti përballet me ndarje në rritje brenda Partisë Republikane dhe sfida ligjore, përfshirë rrëzimin këtë javë të disa çështjeve kundër James Comey dhe Letitia James, vendim i marrë nga një gjykatës federal.

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se pavarësisht punimeve në pjesën lindore të godinës — ku Trump ka nisur ndërtimin e një salle të re të madhe — vizitat për festat do të vijojnë sipas traditës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu