Gardistët Kombëtarë amerikanë kanë mbërritur në Los Angeles pas një vale protestash që shpërthyen si reagim ndaj bastisjeve të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) kundër emigrantëve të paligjshëm. Presidenti Donald Trump ka urdhëruar mobilizimin e 2,000 trupave pa pëlqimin e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, një veprim i rrallë që ka shkaktuar përplasje të forta politike dhe reagime të ashpra në mbarë vendin.

Protestat u përqendruan kryesisht në lagjen qendrore të Los Angeles dhe qytetin e Paramount, një zonë me shumicë latine. Në këto protesta u dogjën makina, u shpalosën flamuj meksikanë dhe pati përplasje me policinë, ku janë arrestuar të paktën 29 persona, shumica për mosrespektim të urdhrit për shpërndarje.

Trump, që ndodhej në një ndeshje të UFC-së në New Jersey gjatë zhvillimit të protestave, tha se “protestat që ndalojnë zbatimin e ligjeve të emigracionit përbëjnë një formë rebelimi” dhe për këtë arsye ai përdori kompetencat që i jep Titulli 10 i Kodit të SHBA-së për të vendosur Gardën Kombëtare në veprim.

Sipas deklaratës zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, trupat do të qëndrojnë për 60 ditë dhe do të mbrojnë përkohësisht zyrtarët federalë të ICE dhe ndërtesat federale në qytet. Por guvernatori Newsom e cilësoi këtë vendim si “provokues dhe i panevojshëm”, duke shtuar se do të “rrisë tensionet në vend që t’i zbusë ato”.

Kritika të ashpra kanë ardhur edhe nga figura të tjera politike. Bernie Sanders e quajti vendimin “një hap drejt autoritarizmit”, ndërsa Corey Booker tha se Trump “po thyen tradita dekadash dhe po përhap kaos”. Në anën tjetër, senatorë republikanë si James Lankford mbështetën presidentin duke thënë se kjo është një përpjekje për të ruajtur rendin dhe për të ndalur përshkallëzimin e protestave.

Sipas gazetares së BBC-së në terren, shumë qytetarë në Los Angeles nuk ishin në dijeni të vendimit të presidentit apo të përmasave të protestave, për shkak të përhapjes së kufizuar të tyre në zonat ku po ndodhnin bastisjet.

Për herë të fundit, Garda Kombëtare u vendos në Los Angeles nga presidenti për trazirat e vitit 1992. Vendimi i tanishëm konsiderohet si një nga përdorimet më të rralla të autoritetit presidencial për të vendosur trupat shtetërore në një qytet amerikan në kohë paqeje.

Protestat dhe tensionet pritet të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, ndërkohë që organizatat për të drejtat e emigrantëve paralajmërojnë mobilizim të mëtejshëm kundër politikave të ashpra të administratës Trump.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu