Të shpallesh fajtor për një vepër penale – aq më tepër për 34 të tilla – është një lloj goditjeje që normalisht do të trondiste ambiciet e çdo politikani.
Por ish-presidenti Donald Trump do të përpiqet të kthejë vendimin, që në kushte të tjera do të thoshte fundi i një karriere, në faktor mobilizues për fushatën e tij për t’u rizgjedhur president.
Zoti Trump do t’i rikthehet fushatës elektorale me një konferencë shtypi në kullën që mban emrin e tij në Manhatan të premten, një ditë pasi u shpall fajtor për përpjekje për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e vitit 2016, duke falsifikuar të dhënat e biznesit për të fshehur një pagesë në këmbim të heshtjes për aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels e cila thotë se ka pasur një marrëdhënie intime me të. Avokatët dhe aleatët e ish-presidentit thanë se ai është i gatshëm të luftojë kundër vendimit që sipas tyre është i paligjshëm dhe i nxitur nga politika.
Asnjë ish-president apo kandidat i pritshëm për këtë post nuk është përballur ndonjëherë me një dënim për vepër penale ose me perspektivën e burgosjes dhe zoti Trump pritet t’i vërë problemet e tij ligjore në qendër të fushatës. Ai ka argumentuar prej kohësh pa prova se katër paditë kundër tij janë orkestruar nga presidenti demokrat Joe Biden në përpjekje për të mos lejuar kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Ai është gati të kthehet në fushatë dhe të fillojë të luftojë përsëri”, tha zëdhënësi i zotit Trump, Jason Miller për televzionin Fox News disa orë pas dhënies të vendimit.
Ish-presidenti dhe ndihmësit e tij kishin kohë që ishin përgatitur për një vendim fajësie, edhe pse kishin shpresuar që juria të ishte e ndarë dhe rrjedhimisht të mos arrinte dot në një vendim. 12 anëtarët e jurisë duhet të jenë të gjithë dakord për vendimin e fajësisë ose pafajësisë së një të pandehuri.
Të martën, zoti Trump kritikoi procesin duke thënë se as Nënë Tereza nuk do të kishte qenë në gjendje t’i mposhtte akuzat, të cilat ai i etiketoi vazhdimisht si “të manipuluara”.
Këshilltarët e tij kryesorë publikuan të mërkurën një memorandum në të cilin ata këmbëngulnin se çfarëdo vendimi që të merrej nuk do të kishte ndikim në zgjedhje.
Megjithatë, lajmi shkaktoi tronditje. Zoti Trump, ekipi i tij dhe gazetarët në gjykatë kishin përshtypjen se juria të enjten do të mbyllte diskutimet për atë ditë në orën 16:30. Ish-presidenti Trump po bisedonte duke buzëqeshur me avokatët e tij.
Ndërsa juria vendoste për fatin e tij, ai bënte telefonata, postonte në rrjetet sociale dhe bisedonte me miq dhe aleatë të tij, që kishin shkuar në sallën e gjyqit.
Tridhjetë minuta më pas, zoti Trump dëgjoi me vështrim të ngrirë ndërsa juria dha vendimin se ai ishte fajtor për të gjitha akuzat. Menjëherë pas kësaj, ndihmësit e tij bëi thirrje për mbledhje fondesh dhe aleatët republikanë shprehën mbështetjen për të.
Në një mesazh dërguar mbështetësve të zotit Trump, ai cilësohej si “i burgosur politik”, edhe pse ende nuk dihet nëse ai do të dënohet me burg. Fushata filloi gjithashtu shitjen e kapeleve të zeza me sloganin “Make America Great Again” për të pasqyruar një “ditë të errët në histori”.
Këshilltarët e tij thanë se pati një fluks aq intensiv kontributesh për fushatën e tij, saqë WinRed, platforma on-line që përdor fushata për mbledhjen e fondeve, u bllokua.
Zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Brian Hughes, tha se kjo ishte shenjë “që amerikanët e konsiderojnë këtë gjyq të rremë si ndërhyrje politike në zgjedhje, gjë që ishte gjithmonë objektivi i (presidentit) Biden dhe demokratëve.
“5 Nëntori,” tha ai, duke i bërë jehonë fjalëve të zotit Trump, “është dita kur amerikanët do të japin vendimin e vërtetë!”
Trump është ankuar prej kohësh se gjyqi kufizoi pjesëmarrjen e tij në fushatë për disa javë.
“Dua të bëj fushatë”, u tha ai gazetarëve të enjten në mëngjes përpara se të merrej vendimi. Megjithatë, është e paqartë se si do të jetë kalendari i takimeve të fushatës të zotit Trump në ditët në vijim.
Ai mbajti vetëm disa tubime publike fushate gjatë gjyqit, pavarësisht nga fakti se ai i kishte në dispozicion të mërkurat, si dhe mbrëmjet dhe fundjavat.
Gjatë dy muajve të ardhshëm ai do të ketë debatin e tij të parë me presidentin Biden, pritet të shpallë kandidatin për nënpresident dhe të pranojë zyrtarisht emërimin e partisë së tij në Kuvendin Kombëtar Republikan.
Gjykatësi i çështjes së zotit Trump, Juan Merchan do ta japë vendimin për dënimin e tij më 11 korrik, vetëm disa ditë para Kuvendit Republikan në Viskonsin.
Ish-presidenti mund të përballet me dënime që variojnë nga një gjobë ose liri me kusht deri në katër vjet burg.