
Një rast i rëndë dhune në familje është zbuluar në Tropojë, ku një 58-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se ushtronte dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij.
Shtetasja N. Sh., 48 vjeçe, është larguar nga banesa më datë 22 korrik 2025 dhe që prej asaj dite ka humbur çdo kontakt me familjarët. Policia vijon kontrollet intensive për gjetjen e saj, me dyshimet se mund të jemi përballë një ngjarjeje të rëndë kriminale.
Pas marrjes së informacionit nga të afërm të gruas së zhdukur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rastit. Hetimet e para treguan se largimi i saj mund të jetë rezultat i dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti, I. Sh., 58 vjeç, banues në fshatin Bujan.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri automatike, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.
Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa janë angazhuar edhe forca të specializuara për kërkimin e 48-vjeçares së zhdukur.