Një ngjarje e rëndë ka tronditur Minneapolis, ku një agjent i U.S. Immigration and Customs Enforcement (ICE) ka qëlluar për vdekje një grua gjatë një operacioni të gjerë kundër emigracionit, konfirmojnë autoritetet amerikane.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), incidenti ndodhi kur gruaja, e cilësuar si “trazirëse e dhunshme”, dyshohet se tentoi të përplaste me makinë një agjent federal. Megjithatë, autoritetet lokale dhe kryetari i bashkisë e kundërshtojnë këtë version, duke theksuar se viktima nuk ishte objekt i asnjë operacioni emigracioni.

Shefi i Policisë së Minneapolis, Brian O’Hara, bëri të ditur se gruaja ishte vetëm në automjet, ishte qëlluar në kokë dhe më pas makina e saj ishte përplasur anash rrugës. Ajo u dërgua në spital, ku u shpall e vdekur. Sipas tij, janë qëlluar të paktën dy herë, ndërsa hetimi i rastit i është kaluar FBI-së dhe Byrosë së Hetimeve Penale të Minesotës.

Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh dhe protesta në vendin e incidentit. Video të publikuara në rrjete sociale tregojnë përplasje verbale mes protestuesve dhe agjentëve federalë, ndërsa situata mbetet e tensionuar.

Kryetari i bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, akuzoi drejtpërdrejt agjentët e emigracionit se po “shkaktojnë kaos në qytet” dhe kërkoi largimin e tyre të menjëhershëm. Ai deklaroi se, bazuar në pamjet që ka parë, gruaja nuk po tentonte të përplaste askënd, duke e cilësuar përdorimin e armës si “të pamatur”.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryebashkiakut, duke e sulmuar verbalisht dhe duke mbrojtur agjentët e ICE, të cilët i cilësoi si “heronj” që po largojnë kriminelë të rrezikshëm nga rrugët.

Incidenti ndodh në mes të një operacioni masiv emigracioni, ku mbi 2.000 agjentë federalë janë dislokuar në Minneapolis dhe qytetin fqinj St Paul, çka ka rritur ndjeshëm tensionet sociale dhe politike.

Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve që protestat të jenë paqësore, duke paralajmëruar se situata mund të përshkallëzohet më tej.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu