
Shefi i stafit të kryeministrit britanik Keir Starmer, Morgan McSweeney, ka dhënë dorëheqjen pas presionit në rritje lidhur me rolin e tij në emërimin e Lordit Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA.
McSweeney pranoi se nuk kishte mbikëqyrur procesin e verifikimit, por tha se merr “përgjegjësi të plotë” për këshillimin që i dha kryeministrit për këtë emërim. Polemikat shpërthyen për shkak të lidhjeve të njohura publikisht të Mandelson me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Situata ka shtuar presionin mbi Starmerin, i cili përballet me pakënaqësi edhe brenda Partisë Laburiste. Disa deputetë kanë kërkuar që ai të rishqyrtojë pozicionin e tij si lider, ndërsa të tjerë kanë bërë thirrje për unitet.
Starmer e shkarkoi Mandelsonin në shtator, pasi dolën emaile që tregonin komunikime mbështetëse ndaj Epstein, ndërsa zbulime të reja për kontaktet e tyre pas dënimit të financierit kanë rikthyer zemërimin në parti. Raportohet gjithashtu se autoritetet po hetojnë pretendime për shpërdorim detyre.
Dorëheqja e McSweeney konsiderohet një goditje e fortë për kryeministrin, pasi ai ishte një nga strategët kryesorë të fitores së Starmer në garën për drejtimin e laburistëve dhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.
Në vend të tij, Downing Street njoftoi se zëvendëset Jill Cuthbertson dhe Vidhya Alakeson do të marrin përkohësisht drejtimin e stafit, ndërsa Starmer pritet të takohet me deputetët laburistë për të rikthyer kontrollin mbi situatën politike.






