
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar datën 4 mars për zhvillimin e seancës paraprake ndaj Laert Haxhiu, i dyshuar nga SPAK për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “vrasje me paramendim” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Në njoftimin zyrtar të gjykatës për pjesëmarrjen në proces janë përfshirë viktimat e pretenduara dhe trashëgimtarët e tyre, mes të cilëve edhe këngëtari Noizy (Rigels Rajku), si dhe familjarë të tij.
Akuzat për tritol në lokalin në Durrës
Sipas hetimeve të SPAK, vendosja e tritolit në ambientet e një lokali në pronësi të Noizyt në Durrës dyshohet të jetë kryer me urdhër të Haxhiut, si reagim ndaj një episodi dhune ku persona të lidhur me këngëtarin kishin ushtruar dhunë ndaj Kleviol Ahmetit, i njohur si “Serbiano”.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Artan Tafani ka deklaruar se pas publikimit të një videoje në “TikTok”, ku shihej rrahja e Ahmetit, familjarë të Haxhiut e kanë telefonuar këtë të fundit, duke i shprehur shqetësim për ngjarjen. Sipas rrëfimit, kjo situatë dyshohet se ka çuar në porosinë për vendosjen e lëndës plasëse si akt hakmarrjeje.
Lista e të thirrurve
GJKKO ka thirrur për të marrë pjesë në proces një listë të gjatë shtetasish, përfshirë persona të dëmtuar dhe familjarë të tyre, mes të cilëve edhe Rigels Rajku dhe Anisa Rajku.
Seanca e 4 marsit do të jetë vendimtare për vijimin e çështjes në gjykim themeli, ndërsa mbetet për t’u parë nëse gjykata do të pranojë kërkesën për kalimin e dosjes për shqyrtim të plotë.
Çështja ka tërhequr vëmendje të madhe publike për shkak të profilit të lartë të personave të përfshirë dhe natyrës së rëndë të akuzave.





