
Detaje të reja janë zbuluar nga hetimet për vendosjen e tritolit pranë banesës së deputetit të PD-së, Xhelal Mziu. Sipas burimeve nga grupi hetimor, autori i dyshuar është një person i vetëm, i cili është identifikuar nga kamerat e sigurisë të zonës.
Pamjet tregojnë se ai ka lëvizur me biçikletë, dhe gjatë gjithë kohës ka qenë i veshur me rroba të zeza, duke e bërë më të vështirë identifikimin e tij. I dyshuari është parë teksa afrohet pranë banesës së deputetit, në zonën e Kamzës, ku dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar. Policia ka sekuestruar pamjet filmike dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ende nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me aktivitetin politik të deputetit Mziu apo motive të tjera personale.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, duke shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa të lënduar. Në momentin e shpërthimit, nuk ka pasur kalimtarë apo familjarë të pranishëm, ndërsa disa automjete, përfshirë edhe një në pronësi të deputetit Mziu, janë dëmtuar si pasojë e valës goditëse.
Deputeti Xhelal Mziu është marrë në pyetje nga autoritetet. Ai është shprehur se nuk ka pasur konflikte personale dhe mohoi të ketë pasur ndonjë incident të fundit. Megjithatë, hetuesit nuk përjashtojnë pistën e një konflikti me sfond politik.
Ngjarja mbetet ende në hetim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një pistë konkrete për autorët e mundshëm./vizionplus